PYETJET QE NA BEHEN ME SHPESH
Kush i financon këto emisione? Emisionet mbahen me punën e producentit të këtyre emisioneve si dhe të bashkëpunëtorëve në Tiranë dhe Toronto. Pasqyra Shqiptare dhe Albanian Waves nuk financohen as nga stacionet përkatëse, as nga shteti dhe as nga ndonjë organizëm tjetër. Me ligj federal dhe provincial ndalohet subvencionimi i mediave nga ana e shtetit. Të ardhurat kryesore janë nga prodhimi i reklamave në gjuhën shqipe dhe shitja e transmetimit të tyre.
Si është marrë e drejta e transmetimit? Ka kontratë mes producentit shqiptar dhe stacioneve përkatëse, në të cilat sqarohen përgjegjësitë e dy palëve, kuadri ligjor dhe ai teknik dhe në asnjë nga këto kontrata nuk figurojnë palë të treta as si ndërmjetësuese dhe as si përfituese shërbimesh. Përveç kontratës me stacionet, emisionet janë të liçensuara edhe nga CRTTC-ja.
Si qëndron çështja me spotet publicitare? Sipas standarteve amerikano-veriore, ora televizive në Kanada është e ndarë mes emisionit dhe reklamave në raportin 24:6 minuta. Nga 6 minuta reklama, stacioni mban për vete si rregull 3 minuta – pjesa e mbetur e kësaj kohe reklamash përdoret nga producenti për t’i shërbyer bizneseve shqiptaro-kanadeze ose edhe thjesht kanadeze, të cilat dëshirojnë të reklamojnë para komunitetit shqiptar në Kanada. E drejta e shitjes së kohës së spoteve shqiptare është e drejtë ekskluzive e producentit.
Pse nuk rritet koha e Pasqyrës Shqiptare? Stacionet, si rregull, priren të ofrojnë kohë televizive emisioneve me teleshikueshmëri të lartë. Numri i shqiptarëve në Kanada vlerësohet nga industria televizive ende në shifra modeste.